Shumë banorë nëpër fshatra e qytete të Kosovës po përballen me mungesë të energjisë elektrike, që nga dita e premte kur veç filluan reshjet e borës.
Sipas zëdhënësit të KEDS, Lulzim Krasniqi, kjo situatë erdhi si pasojë e dëmeve që këto të reshura i shkaktuan në rrjetin elektrik.
Por ai bëri të ditur se ekipet shtesë të mirëmbajtjes janë tashmë në terren dhe se energjia elektrike do t’u kthehet konsumatorëve brenda një afati optimal.
“Janë duke punuar në terren, përgjatë tërë ditës së djeshme prej kur kanë filluar reshjet e borës janë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik shpërndarës, sidomos në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, ku ekipe shtesë të mirëmbajtjes i janë bashkuar këtyre ekipeve në mënyrë që t’i sanojnë dëmet. E mira është që ekipet janë në terren, brenda një afati sa më optimal furnizimi do t’u kthehet të gjithëve”, tha Krasniqi.
Ndryshe, redaksia e Klankosova.tv ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët se kanë mungesë të energjisë elektrike.
Pa rrymë tash e 35 orë thuhet se është Godanci i Shtimes; për më shumë se 24 orë nuk kanë energji elektrike edhe disa fshatra të Lipjanit, si Shalë e Baincë.
Derisa, banorët e fshatit Bare të Mitrovicës thanë se janë pa rrymë tash e dy ditë. /Klankosova.tv