Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në fjalën hapëse të Samitit të Bërdo-Brijunit vlerësoi progresin e arritur nga vendi në bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Begajt, zhvillimi i qëndrueshëm dhe fqinjësia e mirë, janë thelbësore për të çuar më tej paqen, prosperitetin, stabilitetin dhe integrimin e rajonit.
Ai theksoi se aspirata e Shqipërisë për tu anëtarësuar në BE nuk është vetëm objektiv politik, por një mision kombëtar.
“Të gjithë së bashku po përballemi e po përpiqemi të zgjidhim e trajtojmë një sërë çështjesh sociale të kohës sonë, rrjedhja e trurit dhe nevoja për të forcuar bahslkëpunimin në fusha si; kërkimi shkencor e novacioni e për të pasur mundësinë për të mbajtur të rinjtë në vendet tona, ne përpiqemi e kërkojmë që përfitimet e BE ti sjellim më pranë BP përmes planit të rritjes. Shqipëria vlerëson lart rolin e procesit të këtij samiti si mekanizëm i rëndësishëm. Në këtë drejtim Shqipëria inkurajon dialogun rajonal mbështetur në bashkëpunim dhe integrimin në BE. Ne njohim rolin e nxitjes së bashkëpunimit rajonal si instrumenti kyç për aksionet tona politiko-ekonomike që kontribuojnë për përshpejtimin e integrimit në BE. Duhet të vazhdojmë të ndajmë mendimet tona konstruktive që të pasurojmë platformën e BRDO-BRIJUNIT”, deklaroi Begaj.
Qëllimi i këtij samiti 2-ditor është mbështetja e integrimit evropian të rajonit dhe bashkëpunimi i vendeve për të ardhmes evropiane.
Liderët që marrin pjesë janë: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në qendër të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027, e cila synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.
Samiti vjen në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, do të trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.
Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Iniciativa e Bërdo-Brijunit, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi.
Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin.
Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik. /rtsh.al/