Një javë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin lidhur me kërkesën e 10 deputetëve të Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, aktgjykimi i plotë ende nuk është bërë publik.
Gjykata Kushtetuese, të martën e kaluar, më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Kushtetuesja ka obliguar deputetët që ta përfundojnë këtë proces brenda 12 ditësh.
“TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses mbi vendimin e marrë.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, theksohet në njoftim.
Nesër bëhet 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Kosova ende nuk ka Kuvend të konsituuar e rrjedhimisht as qeveri të re.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë. Kurti ka deklaruar se beson se do të arrijë të formojë Qeverinë, pas vendimit të Kushtetueses.
“Unë besoj se do të arrij të formoj Qeverinë. E pranoj sfidën dhe testin e kryetarit Emin Berisha. Pasi të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që pritet të publikohet javën e ardhshme, jam i gatshëm dhe i interesuar të ulem me partitë e tjera dhe të ecim përpara, për të arritur një zgjidhje të përbashkët”, është shprehur ai gjatë javës së kaluar.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është në komunikim me partitë politike dhe po shpreson që sa më shpejt të përmbyllet formimi i institucioneve të reja.
Dimal Basha ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës në seancën e 26 gushtit, pas pothuajse gjashtë muajsh nga mbajtja e seancës së parë për konstituimin e Kuvendit.
Basha e kishte përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”, kishte deklaruar Basha, në seancën e 30 gushtit.
Sipas tij, moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarët e Kryesisë nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.