Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kritikuar ashpër vendimet e marra më 7 tetor nga Qeveria në detyrë, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme dhe me ndikim elektoral. Vendimet përfshijnë ndarjen e mbi 30 milionë eurove për studentë dhe familje në nevojë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas IKD-së, pjesëmarrja e deputetëve që janë edhe anëtarë të qeverisë në këto vendime shkel Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë, pasi një ministër që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti para certifikimit të zgjedhjeve.
IKD thekson se këto veprime tejkalojnë kompetencat e një qeverie në detyrë dhe mund të përbëjnë vepër penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sipas nenit 414 të Kodit Penal.
“Vendimet e marra vetëm pesë ditë para zgjedhjeve ngrejnë dyshime për favorizim politik të partisë në pushtet dhe përdorim të fondeve publike për qëllime elektorale,” thuhet në reagimin e IKD-së.
Instituti kërkon nga Prokuroria Speciale që të hetojë këto veprime dhe të marrë masa përkatëse.