Administrata Tatimore e Kosovës, e udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm Mentor Hyseni, bashkë me dy zëvendësdrejtorët e përgjithshëm Isen Lipovica dhe Sami Salihu, ka mbajtur sot takim me palët e interesit, përfshirë institucionet shtetërore, komunitetin e bizneseve si dhe organizatat profesionale për kontabilitet dhe auditim. Takimi është organizu me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së veprimit konkret në edukimin tatimor dhe zhvillimin profesional.
Z. Hyseni theksoi se qëllimi është që koordinimet formale të shndërrohen në bashkëveprim të mirëfilltë dhe ndikim konkret, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, në mënyrë që administrimi tatimor të përceptohet si partneritet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se ATK do të fokusohet më shumë në edukimin e tatimpaguesve, me qëllim që të kemi më pak ndëshkime, sepse një qytetar apo biznes i mirëinformuar është kontribuesi më i mirë i tatimeve, sidomos kur kupton se këto mjete kthehen në interes të publikut përmes një rishpërndarjeje të drejtë dhe të barabartë. Në këtë kuadër, ATK dhe partnerët e saj do të punojnë bashkërisht në edukimin e të rinjve si brez i ardhshëm dhe me ndikim pozitiv në tregun tatimor, si dhe në periudhat e rekrutimit të stafit të ri profesional.
Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të pranishme vlerësuan gatishmërinë e ATK-së për bashkëpunim dhe partneritet, duke theksuar se bashkëpunimi i rregullt dhe shkëmbimi i informacionit janë thelbësorë për luftimin e evazionit fiskal dhe për zhvillimin e një tregu më të drejtë dhe konkurrues.
Në përmbyllje të takimit, z. Hyseni theksoi se bashkëpunimi nuk është vetëm mënyra më e mirë për të arritur suksesin – është e vetmja mënyrë për të ndërtuar besim të qëndrueshëm dhe rezultate afatgjata në shërbim të publikut.