Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë para gazetarëve sot se ndihet krenar me faktin se Komuna ka fituar grant nga MAPL për performancën e vitit 2017 në shumën prej 84 mijë euro, duke falënderuar ekipin e Sistemit të Menaxhimit të Perfromancës Komunale për punën e jashtëzakonshme.
“Ky vlerësim ka ardhur pas shpërblimit financiar që kemi marrë nga qeveria zvicerane për vitin 2016 në shumën prej 205 mijë euro. Kur i shtojmë edhe këtë të qeverisë, del se vetëm në fushën e performancës Gjilani brenda dy muajsh pranon dy çmime financiare në vlerë afro 300 mijë euro, mjete të cilat dedikohen në infrastrukturë”, ka thënë Haziri.
Në kuadër të kalendarit të punës, Haziri theksoi se Komuna e Gjilanit nga data 2 korrik deri më 20 gusht do të bëjë shënimin e ditëve për bashkatdhetarëve tonë, që është kalendar i ngjeshur me aktivitete e ngjarje kulturore, argëtuese, sportive dhe aktivitete të tjera që lidhen kryesisht me qëndrimin dhe prezencën e bashkatdhetarëve .
“Do të vazhdojmë me punë që të lidhim jo vetëm qytetin me programe e agjensione të ndryshme, por kështu pretendojmë që gjithë hapësira e Komunës të lidhet me bashkëpunime të ndryshme me shtet të ndryshme botërore për të krijuar investime dhe zhvillim njëkohësisht. Kjo do të lidhet me dy figurat tona që tashmë janë krenaria jonë gjatë këtij kampionati. Është futbollisti ynë Xherdan Shaqiri dhe Qëndresa Sadriu, e cila është zgjedhur kryetare e asamblesë në qytetin e saj ku jeton. Këta dhe shumë të tjerë do të jenë gjithnjë bartës të imazhit të mirë që krijojnë me punë dhe përkushtim e që janë krenari e jona gjithsesi”, ka potencuar ai.
“Gjilani me dinamikë të madhe të punëve në projekte”
Kreu i Gjilanit ka potencuar faktin se me dinamikë të madhe po punohet në ndërtimin e rrugës katër korsi Gjilan-Livoç I Ulët, ndërsa ka shtuar se jemi në pritje të procedurave për shpalljen e punimeve për rrugën e Gjilan-Prishtinës nga Banka Evropiane, në një gjatësi prej 3.7 kilometra.
“Në kuadër të kësaj do të investohet edhe në zgjerimin e rrugës nga Livoçi në drejtim të Kllokotit dhe nga Penda në drejtim të Bresalcit. Pjesa e parë nga tuneli deri të udhëkryqi me rrugën Qarkore, do të filloj këto ditë dhe do të punohet me mjete të Komunës së Gjilanit dhe këto rrugë janë arteriet kryesore të Gjilanit”, ka potencuar kryetari Haziri.
“Edhe hyrjet e vendbanimeve më të mëdha do të trajtohen”
Përpos investimit të hyrje-daljeve të qytetit, Komuna e Gjilanit tashmë ka në planin e saj edhe rregullimin e hyrje-daljeve të vendbanimeve më të mëdha dhe fshatrave më të mëdha.
“Do të fillohet me Cernicën dhe korridori i parë do të hapet shumë shpejtë. Gjithashtu, do të vazhdohet edhe me të gjitha fshatrat e tjera që janë unaza e parë e zonës urbane, siç do të jetë Livoçi të Ulët, të Epërm, Malishevë, tashmë janë të trajtuara dhe në vlerësim e sipër edhe për plane urbane”, tha ai.
“Krenar me suksesin historik të FC “Drita”
Duke folur për fitoret e klubit të futbollit “Drita”, Haziri tha se ndihet krenar me këtë sukses historik në Ligën e Kampionëve.
Në kuadër të saj, i pari i gjilanasve ka nënvizuar se janë duke u realizuar punimet në rindërtimin e stadiumit të qytetit dhe pritet të fillohet me dy stadiumet ndimëse,
“Është projekt i kategorisë së katërt që plotëson kushtet të nivelit të lartë sipas standardeve të UEFA dhe FIFA”, ka deklaruar kryetari Haziri.
“Përveç tjerash, po punojmë edhe në projektin e lumit “Mirusha” dhe gjithçka është duke u realizuar sipas planit të punës. Njëkohësisht në kuadër të kësaj njoftoj qytetarët që do të nis implementimi i projektit për shëtitore edhe nga qendra e qytetit në drejtim të tregut të gjelbër dhe kështu do të ofrohemi afër zgjidhjes përfundimtare të këtij projekti”, ka konfirmuar kryetari Haziri.
“Gjithashtu jemi duke punuar për planifikimin e zgjidhjes së problemit të lumit “Stanishorka”, e cila do të mbyllet në zonën urbane dhe do të trajtohet përmes kolektorëve dhe tretmanit të ujërave të zeza”, ka pohuar i pari i qytetit.
“Problemeve që Gjilani kishte me dekada po u vjen fundi”
“Problemeve sistemore që kishte Gjilani me dekada jemi duke i ofruar drejt zgjidhjes përfundimtare. Gjetja e lokacionit për varrezat e qytetit është shumë afër zgjidhjes në përputhje me vendimet dhe planet e miratuara në Kuvendin e Komunës. Pastaj zgjedhja dhe vendosja e selisë së re të Bashkësisë Islame në Gjilan, po mundohemi të bëjmë një zgjithje dhe të trajtojmë problemin e komuniteteve fetare në mënyrën më të drejtë në Gjilan. Gjithashtu, edhe zgjidhja e problemeve pronësore dhe të shpronësimit në Rrugën Qarkore, që besojmë se shumë shpejt do të bëjmë zgjidhjen infrastrukturore dhe financiare shumë shpejtë”, ka shtuar kryetari Haziri.
Kryetari Haziri ka konfirmuar se pas rregullimit të lagjes së “Vishnjeve” e cila ka marrë investimet në rregullimin e plotë atje do të trajtojmë në atë mënyrë edhe lagjen “Porodin”.
Ndërkaq, ka njoftuar se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Investive Europiane, përveç investimit të dy rrugëve të mëdha të Gjilanit në vlerë prej mbi 7 milionë euro, do ta financojnë edhe ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza.
“Është projekti më madhor që Komuna e Gjilanit pritet t’i jap zgjidhje dhe projekti më i shtrenjtë i mundshëm pas Autostradës që pritet Gjilani me pas. Kjo pritet të realizohet përmes qeverisë Austriake të marrë dritë të gjelbër projekti i kolektorëve dhe BERZH-i do të hyjë në programin e ri që e finalizon problemin më madhor për ndërtimin e Impiantit të ujërave të zeza. Me këtë edhe mbyllet njëherë e përgjithmonë tretmani i ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit dhe Komunat afër”, ka thënë kryetari.
Ai ka potencuar edhe bashkëpunimin dhe përfitimin nga Komisioni Evropian i tri programeve të IPA, pastaj projekte dhe programe të ndryshme zhvillimore për interes të përgjithshëm edhe nga ana e organizatave të fuqishme të shteteve mike në botë.