Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës u mbajt takim zyrtar lidhur me planifikimet dhe angazhimin e Policisë në zbatimin e planit operativ “Zgjedhjet lokale 2025” më 12 tetor.
Në këtë takim kanë marrë pjesë menaxhmenti i lartë, në krye me drejtorin e Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët e departamenteve si dhe udhëheqës e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare nga Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja, KFOR-i, EULEX-i, OSBE-ja, zyra e BE-së në Kosovë.
Të pranishmit janë njoftuar lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore, në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
“Ndër të tjera pjesë e diskutimit ishte krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt, me qëllim të ushtrimit të së drejtës së votimit të lirë për të gjithë qytetarët, si edhe inicimi e procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit.
Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet kompetente dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, përmes linjës fikse dhe mobile 192ose në adresën elektronike info@kosovopolice.com,si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në njoftimin e policisë.