Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur se nuk do të ketë pushime verore për deputetët, pa përfunduar projektligjet që momentalisht presin shqyrtim. Po ashtu është vendosur që seancat të mbahen çdo të enjte.
Pas mbledhjes ka folur vetëm kryeparlametari Kadri Veseli, i cili ka thënë se rëndësi të veçantë për miratim kanë projektligjet që lidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.
“Do të kemi seanca çdo të enjte në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë është një qëndrim, i cili do të jetë deri në fund që nuk do të ketë pushime verore pa e kry agjendën parlamentare, projektligjeve të cilat i kemi aktualisht në pritje. Në mënyrë të veçantë ato që lidhen me liberalizimin e vizave, liberalizimi i vizave është shumë me rëndësi për qytetarët tanë, dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të bëhet shkas mos aprovimi i ndonjë projektligji që mos të ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët tanë”, tha Veseli.
Para mbledhjes së kryesisë, Veseli, ka mbajtur takim me kryetarët e komisioneve parlamentare.
Në seancën plenare të radhës do të jetë Interpelanca e ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar, sipas kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për udhëtime zyrtare dhe Shqyrtimi i dytë i projektligjit për Inspektoratin e Arsimit.
Kuvendi është duke mbajtur seancë në këto momente, ku bëhet shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e mëparshme.