Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJTRR) në Prizren ka konfiskuar një automjet luksoz të tipit BMW XM me targa zvicerane, pas një shkeljeje serioze të rregullave të trafikut dhe konstatimit se drejtuesi ishte nën masën e ndalesës për drejtimin e automjetit.
Ngjarja ka ndodhur sot, më 15 tetor 2025, rreth orës 12:31, kur patrulla policore përmes radarit mobil ka regjistruar automjetin duke qarkulluar me 77 km/h në një zonë urbane me kufizim prej 50 km/h.
Pas ndalimit dhe verifikimit të dokumentacionit, është vërtetuar se drejtuesi i mjetit kishte të ndaluar ligjërisht drejtimin e automjeteve motorike.
“Si pasojë, patrulla ka konfiskuar automjetin në bazë të nenit 246, paragrafi 5 dhe l të Ligjit për Trafikun Rrugor, si dhe i është shqiptuar gjobë prej 500 euro dhe masë ndalese shtesë prej 6 muajsh”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Tutje theksohet se duke qenë se kundërvajtësi është me nënshtëtësi zvicerane, autoritetet kosovare do të njoftojnë institucionet përkatëse zvicerane për zbatimin e masës ndaluese në mënyrë ndërkombëtare.
Policia ka bërë të ditur se sipas të dhënave nga sistemi SIPK, drejtuesi ka një histori të rëndë shkeljesh në komunikacion, me gjithsej 114 gjoba të evidentuara, prej të cilave 18 vetëm në dy vitet e fundit, përfshirë 3 raste të përsëritura të drejtimit të mjetit nën ndalesë, të gjitha në kundërshtim me nenin 246, paragrafi 5.