Një analizë e thjeshtë e gjakut është një nga mënyrat më të mira për të kontrolluar shëndetin dhe për të zbuluar shenjat e hershme të problemeve serioze, paralajmëron Dr. Dean Eggitt, mjek dhe CEO i Doncaster Local Medical Committee.
Sipas tij, kujdesi për trupin në moshën e mesme është thelbësor, pasi pas të 40-ve organizmi fillon të përjetojë ndryshime të rëndësishme që mund t’u japin mjekëve tregues për shëndetin afatgjatë.
Dr Eggitt tregon se katër analiza gjaku janë thelbësore për të mbajtur trupin në gjendje optimale:
1. Analiza e lipideve: kontrolloni kolesterolin dhe yndyrnat
Kolesteroli i mirë (HDL) ndihmon në largimin e kolesterolit të keq (LDL) nga trupi. Nivele të larta të LDL mund të çojnë në grumbullim të pllakave në arterie, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës, tension të lartë dhe goditje në tru.
Nivelet optimale sipas NHS:
Kolesteroli i keq (non-HDL) nën 4 mmol/L
Kolesteroli i mirë: mbi 1.0 mmol/L për meshkujt dhe 1.2 mmol/L për femrat
Profili i lipideve, ose analiza e plotë e kolesterolit, mat gjithashtu trigliceridet – një tjetër lloj yndyre që mund të lidhet me diabet, obezitet dhe madje kancer.
2. Analiza e funksionit të veshkave
Veshkat largojnë mbeturinat nga trupi dhe kontrollojnë presionin e gjakut. Analiza e kreatininës në gjak tregon se sa mirë po funksionojnë veshkat.
Nëse veshkat nuk funksionojnë si duhet, nivelet e kreatininës rriten – një shenjë e mundshme e sëmundjes kronike të veshkave, e cila shpesh nuk ka simptoma deri sa është vonë për trajtim. Kontrolli i rregullt i funksionit të veshkave mund të ulë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru.
3. Analiza e sheqerit në gjak
Kontrolli i sheqerit është thelbësor për parandalimin dhe menaxhimin e diabetit. Analiza HbA1c mat nivelin e hemoglobinës të lidhur me glukozën në gjak.
Sheqeri i lartë i vazhdueshëm mund të shkaktojë probleme serioze si:
Dëmtim nervor (neuropati periferike)
Probleme me shikimin
Gjendje kërcënuese për jetën si ketoacidoza diabetike
Ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe rregullimi i peshës trupore ndihmojnë në mbajtjen e sheqerit në nivel normal.
4. Kontrolli i tensionit të gjakut
Rreth 14 milionë njerëz në Mbretëri të Bashkuar jetojnë me hipertension, shumë prej tyre pa e ditur.
Vlerat normale të tensionit:
90/60 mmHg – 120/80 mmHg
Për mbi 40-vjeçarët, synohet rreth 115/75 mmHg për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
Tensioni i lartë mund të shkaktojë sulm në zemër, goditje në tru, dëmtim të veshkave dhe dementia vaskulare. Ndërsa shpesh nuk ka simptoma të dukshme, ai mund të kontrollohet dhe përmirësohet me:
Humbje peshe
Ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar
Aktivitet fizik të rregullt (të paktën 150 minuta në javë)
Kufizim të alkoolit dhe kafesë
Në përmbledhje: Analizat e rregullta të gjakut mbi 40 vjeç janë kyçe për të zbuluar problemet e fshehura dhe për të ruajtur shëndetin afatgjatë. /GazetaExpress/