Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas dështimit të votimit për qeverinë e propozuar në Kuvend, ka përmendur zgjedhjet parlamentare.
Kurti tha se do të vazhdojnë të funksionojnë si qeveri në detyrë.
“Falënderoj të gjithë deputetët që mbështetën propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe qytetarët për përkrahjen. Meqë 56 vota ishin PËR, 52 KUNDËR dhe 4 ABSTENIME, nuk mund të fillojë ende mandati ynë i ri. Ndërkohë vazhdojmë si qeveri në detyrë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare”, shkroi Kurti.
Ai publikoi gjithashtu një video nga ekspozeja e tij në Kuvend.
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti sot u bëri thirrje që të votojnë në interes të popullit dhe të mbështesin formimin e Qeverisë.
Por, pas paraqitjes së listës së ministrave, Qeveria “Kurti 3” mori vetëm 56 vota për.










