Ministri i Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, Bajram Hasani, qëndroi të enjten në Bruksel. Aty ai raportoi para Bordit të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), për arritjet e Qeverisë së Kosovës në drejtim të realizimit të objektivave të Strategjisë për Evropën Juglindore.
Në një intervistë të shkurtër për KP, Hasani ka treguar se në raportin e prezantuar në RCC, Kosova renditet pozitivisht për dallim nga pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në disa shtylla.
Tre shtyllat kryesor, ku ka pasur mjaft progres, ministri thotë se lidhen me qëndrueshmërinë e gjendjes ekonomike apo konkretisht rritjen e GDP-së dhe të hyrave nga tregtia.
Po vlen të theksohet se me datën 05.07 [2018] pas prezantimit në atë takim është prezantuar edhe raporti i Strategjisë [për Evropën Juglindore] për 2018-en. Ky raport fatmirësisht e nxjerrë Kosovën në pozicion të mirë, ku nga ky raport tre shtylla janë për të cilat sipas këtij raporti ka shënuar progres mjaft të madh Kosova. Është shënuar mjaft progres edhe në fushën e tregtisë ku janë arrit edhe objektivat e strategjisë ku janë gjasat që të ec mirë ky synim ku shihet se diku prej 66 përqind e totalit të tregtisë duke kaluar nga 3.3 miliardë euro që ka qenë në vitin 2010, tani është mbi 5 miliardë euro”, ka thënë Hasani.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova është parë si vend me potencial për zhvillim sidomos për shkak të popullatës së re, diku mesatarja mendohet të jetë 27 vjet. Dhe, sipas tij, ka progres mjaft edhe në gjenerimin e vendeve të reja të punës.
“Gjithmonë vlen të theksohet se si shtyllë kryesore dhe arritje më e madhe është se sipas këtij raporti Kosova ka një progres mjaft të madh në gjenerimin e vendeve të reja të punës, ku thuhet se 85 mijë vende të reja të punës ka arritur të gjenerojë gjatë kësaj periudhe. Mesatarja e popullatës mendohet se është diku 27 vjet, pra e nxjerrë edhe si mundësi në të ardhmen që Kosova të ketë progres në punësim”, ka thënë Hasani.
Pak më dobët Kosova, sipas raportit të prezantuar në RCC, rangohet sa i përket efektshmërisë së Qeverisë. Kjo sipas Hasanit është një pikë në të cilën duhet të punohet ende shumë megjithëse, sipas tij, nëse shihen koeficientet nga e kaluara ka një progres edhe në këtë pikë.
“Ne kemi ecur shumë me legjislacion me përafrimin e ligjeve me Bashkimin Evropian dhe po besojmë që Kosova e ka një potencial dhe ka mundësi që të ec përpara që të kemi një ekonomi ma të qëndrueshme në vend”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket luftës së korrupsionit, që mbetet ndër obligimet dhe objektivat për Kosovën edhe në Strategjinë e Evropës Juglindore edhe në gjitha proceset integruese, përfshirë liberalizimin e vizave, Hasani gjatë prezantimit të tij në Bruksel ka tregtuar para bordit të RCC-së, se në këtë drejtim Kosova ka renditur prioritet ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit . Për këtë synim Kosova ka emëruar edhe 34 prokurorë të rinj ndërsa, sipas ministrit, ka trajtuar edhe 456 raste të korrupsionit.