Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar rezultatin si fitore të qytetarisë dhe të demokracisë.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se “dje Kosova foli me votë, me besim dhe me qartësi – foli në emër të shpresës, të qetësisë dhe të punës”. Ai theksoi se mesazhi i qytetarëve ishte i pastër: “Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull.”
Sipas tij, LDK ka shënuar fitore në shtatë komuna, përfshirë edhe Prishtinën, të cilën e quajti “garën më të rëndësishme në vend”. Abdixhiku nënvizoi se “pas 12 vitesh, LDK është sërish parti e parë në Kryeqytet, dhe fitorja e dytë radhazi aty është shenjë e qartë e forcës sonë politike”.










