Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nisur menjëherë angazhimet në ditën e parë të mandatit të tij të dytë. Ai ka bërë të ditur se ka filluar zyrtarisht realizimi i një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të qytetit – Bulevardi i Qytetit, një investim kapilar i vlerësuar rreth 18 milionë euro.
Lajmin e ka bërë publik vetë Hyseni përmes një postimi, duke theksuar se ky projekt shënon vazhdimësinë e punës dhe besimit që qytetarët ia dhanë në zgjedhje.
“Mandati i dytë, dita e parë. Bulevardi i qytetit filloi!”, ka shkruar kryetari, duke publikuar edhe një fotografi nga vendi i punimeve.
Projekti i Bulevardit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin urban, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e hapësirave publike në Gjilan, duke e shndërruar atë në një nyje më funksionale dhe bashkëkohore.
Me këtë veprim, Hyseni sinjalizon se mandati i dytë do të fokusohet në dinamizimin e projekteve kapitale dhe përfundimin e punëve të nisura, duke vendosur theks tek investimet infrastrukturore dhe zhvillimi urban.









