Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë sot Gjilanin por edhe gjithë vendin kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve, duke rritur rrezikun në disa zona të komunës.
Përballë situatës së rënduar, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se ekipet komunale kanë qenë gjatë gjithë ditës në terren për të menaxhuar pasojat e motit të keq dhe për të ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme.
Hyseni njëherësh ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të lëvizin vetëm në rastet emergjente.
Statusi i plotë:
Sot, gjatë gjithë ditës, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të minimizuar dëmet nga reshjet e shiut, të cilat vazhdojnë edhe në këto momente.
Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa zona në Komunën tonë po hasin vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Në këtë kontekst, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të lëvizin vetëm kur ka emergjencë dhe të përdorin rrugët e qytetit, duke shmangur rrugët qarkore dhe ato ku ka rritje të nivelit të ujit, përfshirë rrugën Malishevë–Gjilan, Livoç i Poshtëm dhe i Epërm, rrugën “Enver Miftari” dhe zonat pranë lumenjve.
I lus të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe për çdo rast emergjent të kontaktojnë Qendrën 112.
Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren.









