Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Shkarkimi i tij u bë me votat e pesë anëtarëve të pranishëm në mbledhje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se konstatojnë që ka kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e takimit, meqenëse Kryeprokurori duhet të përjashtohet me automatizëm nga ky proces pasi bëhet fjalë për diskutimet për të.
Fillimisht, u votua që të procedohet me pikën e rendit të ditës- shkarkimin e Kelmendit e më pas u hodh në votim.
“Konstatoj se me pesë vota për, aprovohet dhe shkarkohet nga detyra ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”, tha Hajdaraj.
Në vend të Kelmendit, si u.d Kryeprokuror i Shtetit u caktua Agron Qalaj.
Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të KPK-së lëshojnë mbledhjen: Po dëshironi të shkatërroni sistemin
(Përditësuar, ora 10:56)- Gjatë diskutimit pas propozimit për t’u futur në rend dite shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ky i fundit dhe katër anëtarë të tjerë të Këshillit Prokurorial të Kosovës lëshuan mbledhjen, duke thënë se po tentohet shkatërrimi i sistemit.
Fillimisht, anëtari Veton Shabani tha se tentativa për dëmtimin e sistemit prokurorial është e kotë, duke thënë se sistemi prokurorial është më i madh se të gjithë ata, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ka vëtëm një adresë dhe një agjendë për dëmtimin e sistemit prokurorial, por kjo tentative është e kotë. Nuk do jem pjesë e këtyre agjendave të ulëta”, tha Shabani.
Ndërkaq, Arian Gashi tha se ajo që dëgjoi është e papranueshme dhe e paprecedent.
“Një kërkesë e tillë për t’u fut në agjendë është keqpërdorim i pozitës zyrtare, ky Këshill i ka humbur legjitimitetin sepse çdo aktivitet i ardhshëm do jetë vazhdimësi e kësaj”, tha ai.
Ndërkaq, replikoi Hajdaraj, duke i thënë “Po shihet kush është për të shkatërruar sistemin”.
Fillimisht, nga salla e takimit u larguan dy anëtarët Arian Gashi dhe Visar Krasniqi. E më pas, edhe Kelmendi e Vuniqi.
Në anën tjetër, Dardan Vuniqi, tha se integriteti i tij nuk lëkundet, sepse janë aty për të mbrojtur ligjin dhe me i dhënë arsye të vertetën, duke thënë se asnjë vendim nuk mund ta marrë nën presion.
“Mua më duhet ta lëshoj këtë takim pasi ky konflik është filluar pa qenë unë këtu.”, shtoi Vuniqi duke thënë se në moment kur të bindet do të rikthehet. Tha se po e lëshon takimin për të ruajtur rendin juridik.
Ndërkaq, Shabani tha se propozon të mos thirret më asnjë takim.
Kryesuesi Hajdaraj më pas vendosi që takimi të shkojnë në pauzë.
Kelmendi pasi u propozua shkarkimi i tij: E gjitha është plan, dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes- individin që e kam përkrahur vazhdimisht
(Përditësuar, ora 10:31)- Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurit të Shtetit, Besim Kelmendi në mbledhjen e Këshillit pasi u propozua shkarkimi i tij nga kjo pozitë, tha se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
“Ndoshta ia ka shkruar ai që është zëdhënësi i tyre”, tha Kelmendi derisa po debatonte me Grantollin pasi ajo propozoi në rend dite shkarkimin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërkaq, Grantolli tha se Kelmendi po e fyen, duke i kërkuar ta lëshojë sallën, me arsyetimin se po qëndron në sallë në konflikt interesi.
Grantolli debatoi me Kelmendin duke i thënë se nuk ka të drejtë të qëndrojë në sallën ku diskutohet për shkarkimin e tij, duke i thënë se po e shkel rregulloren.
Kelmendi tha që opinioni duhet ta dijë që e gjithë kjo është një plan, ngase po planifikohet që të vije në vend tij një person të cilin ai e ka përkrah vazhdimisht.
“Sepse njerëzit të cilët janë duke planifikuar gjithë këtë lojë, janë pjesë e gjithë një plani. Ky është plan, sepse dëshirojnë ta kenë njeriun që kanë interes të pastër. Dëshirojnë me pas një njeri i cili dje gjatë seancës dëgjimore ku jam dëgju si dëshmitar, ka qenë prezent jo njëherë, por dy herë- për me shiku a jam unë ai që po po flas e për çka po flas. Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për një interes të një individi të cilin e kam përkrah vazhdimisht, është mëse e turpshme dhe joligjore”, tha Kelmendi.
Ai shtoi se asnjëherë nuk ka aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kelmendi theksoi se dje ka dhënë dëshmi për rastin e Reçakut dhe ka ofruar të gjitha provat që posedon. Tha se e gjithë kjo që po ndodh tani është pjesë e një grupi, të cilin sipas tij po e përfaqëson zëvendëskryesuesja Grantolli.
Kelmendi iu drejtua Grantollit “Ju thatë se jam pjesë e një grupi, pjesë e cilit grup jam”.
Ai i tha se është në konflikt të pastër interesi me të, Grantolli. Ndërkaq, shtoi se disa herë e kishte përgatitur kërkesën për ta liruar nga detyra, por tha se nuk është lejuar.
Besim Kelmendi tha se qytetarët duhet ta dijnë që këtu po bëhet një luftë ose për reforma në sistem të drejtësisë, ose për të mbetur sistemi në duart e individit që mendon se e ka gjithë pushtetin. Tha se ka ardhë koha për një sistem prokurorial që ka fuqinë për ta mbrojtur Kushtetutën dhe ligjin.
Në anën tjetër, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se në secilin takim publik thirren mediet. Tha se konferenca për shtyp dhe deklaratat që po i jep sot, në kohën kur nuk është shqyrtuar raporti, është tentim për ushtrim ndikimi.
“Kjo është abuzim me detyrën tuaj edhe në konferencën që e ke dhënë dje, sepse e ke fillu me zgjedhjen e anëtarit të ri dhe e ke mbaru me të”, tha ai, duke shtuar se janë insinuata të tij për ta mbajtur këtë pozitë.
“A po i tregoni opinionit kë po doni ta bëni ushtrues detyre”, i replikoi Kelmendi, duke shtuar se KPK-ja caktoi takimin në kohën e njëjtë kur kishte për të dhënë deklaratë, për të pasur një votë më pak./Betimi Për Drejtësi/










