Kampionia e Kosovës Drita, është gati për ndeshjen më të rëndësishme në histori të klubit, ndaj kampionit të Suedisë, Malmo në Ligën e Kampionëve.
Ekipi gjilanas që bëri historinë javën e kaluar, kur kaloi rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve, të dielën zhvilloi stërvitjen e fundit në qytetin e Gjilanit, pasi të hënën, skuadra do të udhëtojë drejt Mitrovicës për stërvitjen e fundit në fushën e stadiumit “Adem Jashari”.
‘Bardhekaltrit’ nga Anamorava janë në fazën e fundit të përgatitjeve para ndeshjes historike ndaj kampionit të Suedisë, Malmo, në kuadër të rundit të parë kualifikues, për Ligën e Kampionëve, raporton KTV.
Trajneri Bekim Isufi, në këtë stërvitje punoi me skuadrën në të gjitha aspektet e lojës, duke filluar nga vrapimet e shkurta, lojë mes vete, po ashtu ushtruan edhe goditjet nga këndi dhe ato të dënimit, ku suedezët e kanë pikën e tyre më të fortë.
Gjatë stërvitjes, trajneri i gjilanasve provoi edhe skuadrën, që me shumë gjasë do ta hedhë në fushë kundër Malmos.
Liridon Leci do ta zërë vendin e të suspenduarit Fidan Gërbeshi, në qendër të mbrojtjes, ndërsa në krahun e majtë, do të luajë i transferuari nga Laçi, Arbër Shala.
Në sulm, pritet të debutojë në garat evropiane, ish-sulmuesi i Gjilanit, Betim Haxhimusa.
Trajneri Isufi ka treguar për ecurinë e përgatitjeve dhe gjendjen në të cilën është skuadra e tij, para ndeshjes kualifikuese në Ligën e Kampionëve.
Isufi e vlerëson lart kundërshtarin, por potencon që skuadra e tij nuk do të paraqitet me flamur të bardhë.
Kapiteni i “intelektualëve”, Ardian Limani e vlerëson ndeshjen ndaj Malmos, si më të madhen në histori të klubit.
Ylli i kësaj Drite, padyshim është sulmuesi i krahut Xhevdet Shabani, që realizoi dy gola në turneun parakualifikues të Gjibraltarit. I njohur nga tifozët si “Rrapa”, ai flet për formën e mirë, në të cilën po kalon ai dhe skuadra e tij.
Nga ana tjetër, mesfushori Bujar Shabani dhe sulmuesi Betim Haxhimusa premtuan angazhim maksimal, në sfidën ndaj gjigantëve suedezë.
Drita në tribuna do ta ketë përkrahjen e madhe të “intelektualëve” të cilët do të udhëtojnë në numër shumë të madh.
Zyrtarët e klubit kanë bërë të ditur, se deri tani janë shitur mbi 7 mijë bileta, ndërsa interesim kishte edhe gjatë kohës, kur skuadra po ushtronte në fushë.
Dueli ndërmjet Dritës dhe Malmos, luhet të martën nga ora 20:45, në stadiumin olimpik “Adem Jashari”.
Drita gati për Malmon, nuk paraqitet me flamur të bardhë
Ndani këtë artikull