Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka sqaruar situatën rreth buxhetit të pamiratuar, duke theksuar se komuna ka vepruar plotësisht në përputhje me legjislacionin dhe nuk ka hyrë në asnjë obligim pa mbulesë financiare.
Ai tha se operimi me 1/12 e buxhetit të vitit paraprak ka qenë sfidues, por i menaxhueshëm, ndërsa paralajmëroi thirrjen e shpejtë të seancës konstitutive për miratimin e buxhetit dhe bartjen e mjeteve vetanake.
Statusi i plotë:
SQARIM PËR ÇËSHTJEN E BUXHETIT
Edhe Gjilani, njësoj si kryeqyteti, po përballet me problemin e buxhetit të pamiratuar, por mënyra jonë e menaxhimit ka qenë krejt tjetër. Ne kemi respektuar plotësisht legjislacionin dhe nuk kemi hyrë në obligime pa mbulesë financiare.
Mungesa e buxhetit të miratuar dhe operimi me 1/12 e buxhetit të vitit paraprak ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft sfidues. Megjithatë, shumë shpejt do të thërrasim seancën konstitutive dhe do të votojmë edhe bartjen e mjeteve vetanake për t’i mbuluar obligimet ekzistuese.










