Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka gjetur një zgjidhje si lloj improvizimi të detyruar, për pagat e punëtorëve te Radio Televizionit të Kosovës.
Ai tha se në këtë mbledhje do të ndahen mjetet e nevojshme nga kategoria e kursimeve, transmeton Klankosova.tv.
“Që në muajin gusht ne bëmë një zgjidhje të përkohshme duke dhënë overdraft për RTK-në, me shpresën që pas konstituimit të Kuvendit e themelimit të komisioneve, të arrihet zgjidhja e duhur për të cilën kishim përgjegjësi të gjitha partitë. Ne nuk kishim votat e mjaftueshme pasi që partitë e tjera refuzuan pagat për RTK-në”.
“Siç edhe e ka paralajmëruar ministri Murati, kemi shqyrtuar disa opsione për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Kjo zgjidhje e sotshme, më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse improvizim i detyrueshëm pas përpjekjeve tona të vazhdueshme për ta miratuar aty buxhetin”, tha Kurti.
Kjo zgjidhje vjen pas shumë grevave nga ana e punëtorëve të RTK-së, të cilët edhe sot kanë vazhduar protestën e tyre.









