Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar pas një postimi të ministrit në detyrë Hekuran Murati, i cili pretendoi se Rumania, “në zgjedhjet e sivjeme për postin e presidentit, kishte organizuar 965 vendvotime jashtë shtetit, për t’ia mundësuar diasporës që t’i kenë sa më afër vendvotimet dhe ta kenë sa më të lehtë për të votuar”. Mirëpo sipas Cakollit, krijimi i qendrave shtesë të votimit atje është i rregulluar me ligj.
Cakolli shton se “zgjerimi i rrjetit të qendrave të votimit jashtë vendit ka ardhur pas problemeve reale, me shumë qytetarë që s’kanë arritur të votojnë për shkak të radhëve shumë të gjata dhe kapaciteteve të pamjaftueshme. Në atë kontekst, shteti rumun ka miratuar një paketë ligjore për t’u siguruar që diaspora të mos mbetet pa votuar – përfshirë edhe votimin disa-ditor. Pra, nevoja ka qenë faktike, ligji ka qenë specifik, dhe procedurat kanë qenë të detajuara”.










