Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për herë të dytë, brenda 10 muajve e ka sanksionuar gjyqtarin, Raif Fazliu, për mos respektim të afateve ligjore në një lëndë civile. Sipas vendimit të KGJK-së, që nga pranimi i padisë e deri në caktimin e seancës, Fazliut i janë dashur 9 vite e 9 muaj, duke mos respektuar afatet ligjore, kështu i është zvogëluar paga për 10% për gjashtë muaj. Ky vendim është marrë më 30.09.2025.
Fazliu është Gjyqtar i Gjykatës Themelore të Gjilanit – Dega në Viti. Fazliut i ishte shqiptuar vërejtje publike me shkrim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 5 dhjetor 2024, për shkak të mosrespektimeve të afateve të përcaktuara ligjore për trajtim të lëndëve.
Pasi kishte formuar panelin hetimor KGJK kishte administruar provat rreth këtij rasti dhe kishte ardhë në konstatim se Fazliu ka dështuar që të caktojë dhe përfundoj lëndën për një periudhë prej 9 vite e 9 muaj. Vonesë kjo e cila sipas vendimit të KGJK-së bie ndesh me kryerjen e detyrave të gjyqtarit në kohë.
“Pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, Këshilli vlerësoj se pretendimi i Autoritetit Kompetent qëndron, se gjyqtari Raif Fazliu subjekt i procedurës disiplinore, ka dështuar të caktojë dhe përfundojë lëndën C.nr.400/2014 për një periudhë prej nëntë (9) vjetësh e nëntë (9) muajsh. Kjo vonesë përbën shkelje të nenit 5, paragrafi 2, nën paragrafët 2.2 -nuk i trajton siç kërkohet me ligj palët në procedurë dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë, dhe 2.7-në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të pikës 5-profesionalizmi dhe përgjegjësia në punë, të Kodit të Etikës për Gjyqtarë.”- thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Sipas vendimit lënda në gjykatë ishte pranuar më 31.10.2014 me propozim për masë të përkohshëm për anulimin e kontratës së shitblerjes, kurse seanca e parë për këtë rast ishte caktuar më 18.07.2024.
Raif Fazliu në seancë para këshillit kishte deklarua se e ka pasur edhe një lëndë tjetër të evidentuar të vitit 2013, me palë të njëjta por që objekti i kontestuar nuk ka qenë i njëjti si i lëndës të vitit 2014. Për lëndën e vitit 2013 sipas Fazliut është vendosur por që lënda ka qenë disa herë në rigjykim dhe pa marrë epilogun përfundimtar lënda e vitit 2013 nuk ka mundur që të vendos për lëndën e vitit 2014.
“Theksoj se për mos me ardh deri të pa siguria juridike dhe me nxjerr vendime kontradiktore, për lëndën kontestuese C.nr.400/2014 nuk ka vendosur fare, nuk ka pasur asnjë arsyeje tjetër që mos me vendos edhe përkundër qe ka qenë i stërngarkuar dhe me mungesë të mbështetjes profesionale dhe administrative nga stafi i gjykatës.”- ka thënë Fazliu para panelit hetimor.
Gjyqtari kishte shtuar se vonesa për trajtimin e lëndës ka ardhë si pasojë e disa faktorëve objektiv dhe të pavarura prej tij. Sipas Fazliut ka shtuar se ka pasur stërngarkesë të lëndëve, dhe mungesë e mbështetjes profesionale nga bashkëpunëtorët profesional dhe zyrtarët ligjor. KGJK ka thënë në vendim se kjo masë e shqiptuar është proporcionale për shkak se Fazliut brenda një viti i është shqiptuar edhe një vërejtje publike për veprime të ngjashme.









