Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i është drejtuar legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurojë financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik.
Kjo sindikatë thotë se modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit.
“RTK prej 26 vitesh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik”.
SPERTK kërkon që para miratimit të buxhetit nacional, për transmetuesin publik të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit, të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit.
Kjo sindikatë poashtu kërkon që të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së thotë mes tjerash në një njoftim për media se do t’i paraqesë legjislaturës së re dhe organeve të ardhshme drejtuese kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive.
“Ne do të presim deri në formimin e plotë të Kuvendit, Bordit dhe menaxhmentit. Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK do të nisë masat sindikale pa vonesë”, thuhet më tej në komunikatë.









