Kuvendi i Komunës së Kamenicës sot ka mbajtur mbledhjen inauguruese, përmes së cilës u konstitua si organi më i lartë i qeverisjes lokale, i dalë nga Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Me këtë mbledhje nisi zyrtarisht puna e Legjislaturës së Tetë.
Mbledhja u drejtua nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Sejdi Kurteshi, i cili mbajti fjalën e hapjes ku u verifikuan mandatet e të zgjedhurve, si dhe udhëhoqi procesin e betimit.
Gjatë ceremonisë, të gjithë asambleistët njëzëri dhanë betimin solemn, duke shqiptuar fjalët:
“Betohem (ose deklaroj solemnisht) se do t’i kryej me nder, besnikëri, pa anime, me ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do t’i ushtroj autorizimet e mia si këshilltare e Kuvendit të Komunës së Kamenicës, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë.”
Pas betimit të asambleistëve, betimin e dha edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili solemnisht deklaroi:
“Unë, Kadri Rahimaj, “Betohem (ose deklaroj solemnisht) që do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si Kryetar i Komunës së Kamenicës, me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”.
Kryetari Rahimaj në fjalën e tij tha se që sot po fillojnë një bashkëpunim i ri institucional i cili rrjedhë nga një besim shumë i madh dhe i rëndësishëm qytetar.
“Nga ky besim po fillon kjo seancë e mbi të cilin besim edhe do të vazhdojë puna jonë e përbashkët në shërbim të qytetarëve pa asnjë dallim. Rëndësia e angazhimit tonë është po aq e lartë dhe e rëndësishme sa vet institucioni. Angazhimi jonë duhet të jetë në frymën që të forcoj besimin e secilit qytetarë në institucionet tona. Kjo është puna më e madhe që mund të bëjmë të gjithë bashkë. Kuvendi Komunal është vendi ku ne diskutojmë për çdo çështje për të cilën ne bashkë e shohim si interes për qytetin dhe qytetarin. Diskutimet ose debatet janë të mirëseardhura në çdo kohë dhe për çdo çështje që ndërlidhet me kompetencat e këtij organi të lartë vendimmarrës. Për të diskutuar për të gjitha këto çështje, zgjedhjet e fundit të mbajtura me 12 tetor 2025 kanë krijuar një përbërje të re të Kuvendit Komunal. Nga 27 asamblistë që ishim në mandatin e kaluar, sot Kuvendi Komunal i Komunës së Kamenicës ka 21 asamblistë nga 6 subjekte politike. Ky pluralizëm politik është i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm për demokracinë. Në zhvillohemi bashkë edhe atëherë kur ka më shumë se një mendim për një çështje të caktuar”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Përveç të zgjedhurve të popullit, në këtë mbledhje morën pjesë edhe të ftuar nga institucione lokale, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit, ndër të cilët: Komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, Komandanti i Zjarrëfikësve në Kamenicë, Riza Bunjaku, Kryetari i BIK-ut në Kamenicë, Ferit Dërmaku, Kryetari i OVL-UÇK-së, dega Kamenicë, Milaim Limoni, Drejtori i QKMF-së, Latif Sylaj, Ish-deputetja Arta Bajralia, Përfaqësuesi i Klubit Letrar ‘Nositi’, Profesor Nexhat Rexha, Drejtori i NPL Dardana, Gazmend Mavriqi.
Prania e tyre e bëri ceremoninë edhe më solemne, duke reflektuar bashkëpunimin institucional dhe mbështetjen e gjerë për fillimin e mandatit të ri.
PËRBËRJA E KUVENDIT – LEGJISLATURA E TETË
Kuvendi i Komunës së Kamenicës përbëhet nga 21 anëtarë, të cilët vijnë nga gjashtë subjekte politike:
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 9 mandate
1. Ardita Dërmaku
2. Arbnore Beqiraj Fera
3. Liridon Kastrati
4. Lirim Kryeziu
5. Jeton Zylfiu
6. Blerim Murina
7. Arlinda Basha
8. Berat Dërmaku
9. Burbuqe Leka
Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) – 4 mandate
1. Labinot Haxhiu
2. Naim Arifi
3. Magbule Kastrati
4. Djellonë Rudhani Ahmeti
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 3 mandate
1. Faton Jakupi
2. Labinot Skoverqani
3. Albulena Gagica
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 3 mandate
1. Jeton Biqkaj
2. Sejdi Kurteshi
3. Shpresa Sermaxhaj
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 1 mandat
1. Granit Berisha
Lista Serbe (LS) – 1 mandat
1. Ivan Markovic
Konstituimi i Kuvendit shënon fillimin e punës së institucioneve të reja komunale dhe hap rrugën drejt ushtrimit të përgjegjësive të qeverisjes lokale për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.









