Të nderuar anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjilani dhe rrethina!
Tashmë e keni të njohur që unë Nevzad Isufi kam shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për ta kryesuar Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe këtë e keni mundësuar edhe Ju delegatë të nderuar me nënshkrimet tuaja. Në pamundësi që t’u takoj të gjithëve, unë u jam mirënjohës dhe falënderues të gjithëve atyre që nënshkruat, për të më mundësuar mua përmbushjen e kushteve për kandidaturë, ashtu edhe për kolegun tim, sepse këto janë rregulla të demokracisë. Ju kërkoj falje atyre që për shkaqe objektive nuk ua kam kërkuar këtë nënshkrimin, duke besuar se të gjithë kanë qenë të gatshëm të na mundësojnë kandidimin si një proces normal, statutar dhe demokratik, por numri i nevojshëm i nënshkrimeve ka qenë i caktuar, kështu që nuk ka pasur nevojë për të gjitha nënshkrimet.
Unë jam i vetëdijshëm dhe i sigurt për shkallën e përgjegjësisë që dua të marrë, por duke qenë së bashku me Ju për një periudhë të gjatë, të familjarizuar më gjithë Ju në Lëvizje, besoj se Lëvizjen do ta bëjmë të lëvizë drejtë edhe më përpara, për të realizuar objektivat e saj programore shtet ndërtuese e kombëtare. Fuqia e Individit brenda një fuqie tjetër kolektive nuk zvogëlohet, por rritet. Duke pasur një besim të ndërsjellë, rritjen dhe fuqizimin duhet marrë si krejt të natyrshme, prandaj të befasuar mund të mbeten vetëm ata që nuk na njohin mirë, ose për shkak të smirës nuk duan ta pranojnë.
Si pretendues i drejtimit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, bashkë me anëtarësinë e gjerë, aktivistët e shumtë e të palodhshëm e të gjitha strukturat e qendrës sonë, nga një subjekt me nr. 2 do të bëhemi subjekti numër 1, duke hequr O-në nga emri Opozitë e fuqishme për t’u bërë Pozitë e fuqishme. Vetëm ne bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje mund ta nxjerr Gjilanin nga një qeverisje dhjetëra vjeçare kaotike, e cila e ka molisur një kohë shumë të gjatë qytetarin tonë. Unë jam i gatshëm të vijmë në krye të kësaj përgjegjësie, ndërsa është në dorën, dëshirën dhe vullnetin tuaj të (vet)vendosni.
Prandaj u bëjë thirrje, aktivistëve, anëtarësisë, që me 14 korrik të dilni të votoni, për Kryetarin e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Me respekt, Nevzad ISUFI