Kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyet e dështimit të një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Limaj ka thënë se elektoratet e ndryshme të të dy subjekteve politike dhe koha e shkurtër deri në zgjedhje kanë qenë dy nga arsyet kryesore për një mungesë të bashkëpunimit mes NISMA-s e LDK-së.
“Kemi pasur diskutime dhe komunikime të vazhdueshme me Abdixhikun, e kam vlerësuar mënyrën e të menduarit të tij dhe më bën përshtypje mënyra e tij të menduarit. NISMA dhe LDK ka dy elektorate të ndryshme, është kohë e ndryshme, dhe nuk mund të thyejmë barriera të së kaluarës, tani për tani është e pamjaftueshme. Kam qenë i interesuar të jem shumë i ndershëm me ta, kam pasur dyshime se nuk do të mund të jap kontribut në atë koalicion për shak të lëvizjes së elektoratit. Do të gjejmë rrugë të bashkëpunimit paszgjedhor, i vlerësoj ato takime dhe angazhimet e Abdixhikut”, ka thënë Limaj në Debat Plus.
Limaj bëri të ditur se NISMA do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Natyrisht partia është e regjistruar. Gjithmonë ka hapësirë, por opsioni i jonë i fundit ka qenë të për shkuar vetëm. Gjithmonë ka hapësirë. Por jemi regjistruar dhe shkojmë vetë në zgjedhje, si opsion i fundit i ynë”, ka thënë Limaj.
Limaj ripërsëriti gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike që kërkojnë pjesëmarrjen e tij në çështje që ndikojnë në interesin e përgjithshëm të Kosovës.
“Vazhdoj të mbajt të njëjtin qëndrim. Me interesa e shtetit. Kurdo që më ftojnë, të gjitha këta (LVV, PDK, LDK…) që i përmende, e harrove edhe Ramushin. Kushdo që më fton dhe që ka diçka më thënë për temat nacionale. Dhe kanë interes për ta dëgjuar mendim tim ose mendojnë që duhet të ketë ftesë gjithmonë jam i gatshëm.”, ka thënë Limaj.









