Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, procesin zgjedhor dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Në fokus të takimit ishin përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor, ku Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike.
“Kosova ka dëshmuar se është shembull për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, andaj ky proces duhet të ruajë të njëjtat standarde të larta edhe në këtë fazë të re politike”, ka thënë Osmani.
Gjatë takimit u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave, përfshirë edhe komunat në veri të vendit, proces i cili është realizuar sot.
Presidentja Osmani ka ritheksuar edhe urgjencën e heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato janë të padrejta dhe po dëmtojnë drejtpërdrejt interesat e qytetarëve.
“Këto masa po ndikojnë negativisht tek qytetarët tanë pa asnjë arsye të drejtë dhe presim që ato të hiqen sa më parë”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit me Francën, ndërsa në takim janë trajtuar edhe tema të tjera të interesit të ndërsjellë.









