Një incident i rëndë ka ndodhur të premtën në Gjilan, ku një drejtues automjeti VW GOLF nuk iu bind urdhrave të Njësisë për Hetimin e Lëndëve Narkotike për t’u ndalur, duke shkaktuar një ndjekje të rrezikshme brenda qytetit. Sipas raportit zyrtar, shoferi tentoi t’i ikte hetuesve policorë, duke vënë në rrezik serioz jetën e tyre.
Gjatë arratisjes, personi dyshohet se hodhi lëndë narkotike nga dritarja e veturës dhe vazhdoi t’i shmangej hetuesve edhe pasi kishte parë automjetin dhe zyrtaren policore që i kërkonte të ndalej me urdhër verbal. Ai drejtoi veturën drejt policisë dhe shfaqi rezistencë të vazhdueshme, gjë që detyroi zyrtaren të përdorte sprej irritues për ta neutralizuar.
Në momentin e arrestimit, personi i dytë i dyshuar doli nga vetura dhe pengoi hetuesit, duke mos iu bindur urdhrave për t’u larguar dhe duke shtyrë zyrtarët policorë. Kjo kërkoi përdorimin e sprejit edhe ndaj tij. Për shkak të rezistencës gjatë vendosjes së prangave, zyrtarët përdorën goditje hutues në krah dhe këmbë, duke arritur të vendosin situatën nën kontroll.
Të dy të dyshuarit u dërguan dy herë për kontroll mjekësor, ku u konstatua se nuk kishin lëndime serioze, përveç irritimit të syve nga spreji.
Sipas burimeve, personi i parë është i njohur për policinë dhe konsiderohet recidivist.
Gjilan 05.12.2025-23:30.
Raportohet se njësiti policor ka arritur ta ndaloj automjetin VW Golf me targa lokale i cili me herët nuk ju kishte ndalë policisë, dhe gjatë arrestimit dy të dyshuarit meshkuj kosovar kanë shfaqur rezistencë duke i penguar zyrtarët policor. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur dhe konfiskuar 9.66 gram substancë narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt.








