Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, realizuan sot një vizitë në kompaninë e njohur për prodhimin e dyerve dhe dritareve, “Inter Plast Trocal”.
Gjatë vizitës, Presidentja Osmani dhe kryetari Hyseni u pritën nga nikoqirët Shaban dhe Arian Xhymshiti, me të cilët zhvilluan një bisedë të frytshme rreth punës së kompanisë, sfidave të tregut dhe suksesit të saj shumëvjeçar. Përfaqësuesit e “Inter Plast Trocal” shpalosën arritjet e kompanisë, e cila sot konsiderohet ndër më të mëdhatë në vend dhe një eksportuese e rëndësishme në tregjet perëndimore.
Presidentja Osmani u shpreh e impresionuar me kapacitetin prodhues, cilësinë e punës dhe fuqinë punëtore të kompanisë, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të Gjilanit dhe Kosovës në përgjithësi.
Vizita u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të theksuar rolin e bizneseve vendore në krijimin e vendeve të punës dhe promovimin e prodhimit vendor në tregjet ndërkombëtare./Radio Star/







