Në kuadër të aktiviteteve që po shënohen në nderim të 24 heronjve të Policisë së Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës ka përmbyllur aktivitetet e saj sportive në DRP–Gjilan, ku ekipi i volejbollit të DRP-Gjilanit u shpall fitues i vendit të parë, ndërsa në shenjëtari u rendit në vendin e tretë.
Drejtori Rajonal i DRP-Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, ka ndarë mirënjohje për ekipin fitues me rastin e këtij turneu sportiv të organizuar nga Sindikata e Policisë së Kosovës në nderim të 24 heronjve të PK-së. Në këtë takim përgëzues morën pjesë edhe Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, z. Avdi Hoti, Nënkryetarja znj. Edita Azemi, si dhe Kryetari i Shoqatës Sindikale të DRP-Gjilan, z. Ragip Ajeti.
Gjatë vizitës, Kolonel Rukiqi u ndau mirënjohje lojtarëve për sukseset e arritura në të dy disiplinat sportive, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe lojën e treguar. Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm, Kryetari Hoti i dorëzoi Kolonel Rukiqit gjithashtu një mirënjohje.
Ky aktivitet sportiv përveçse nderon kujtimin e 24 heronjve të Policisë së Kosovës, promovon frymën e bashkëpunimit, solidaritetit dhe motivimit profesional brenda strukturave të Policisë së Kosovës.

