Në takimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se Pallati i Drejtësisë ka qenë i braktisur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Nga vlerësimet e brendshme të Departamentit të Logjistikës, mundem me thanë me përgjegjësi se ka rezultu se Pallati ka qenë i braktisur nga Ministria e Punëve të Brendshme për sa i përket mirëmbajtjes, sigurisë, pastrimit”, tha Zogaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Zogajt, me marrjen në administrim Pallatin, kanë nisur me investimet si Këshill, por duke theksuar se kanë mungesa buxhetore dhe se ende nuk e dinë se çka ka ndodh me kërkesat buxhetore për vitin 2026.
Sipas tij, mungesa e mjeteve buxhetore ka sjellë vështirësi dhe këtë situatë të vështirë në Pallat. Tha se Këshilli me mundësitë që ka, do të bëjë gjithçka për dhënie të mbështetjes për rregullimin e gjendjes në Pallat.
Në anën tjetër, drejtori i sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi tha se mbi 3 milionë euro janë minus dhe se barten si borxhe në vitin 2026, duke shtuar se Këshilli do t’iu japë mbështetje kërkesave me aq mundësi që ka, duke vepruar në çdo moment që ka mundësi buxhetore.

