Drita dhe Gjilani do të përballen të dielën në derbin e Anamoravës, ndeshje e vlefshme për xhiron e 17-të të Superligës së Kosovës.
Drita të enjten zhvilloi ndeshjen e Conference League kundër AZ Alkmaar, duel në të cilin skuadra bardhekaltër pësoi humbje. Tani, ekipi i Zekirija Ramadanit rikthen fokusin te kampionati, ku synimi i vetëm është fitorja në derbin e së dielës. Në përballjen e fundit në Superligë, Drita barazoi 1–1 me Dukagjinin.
Nga ana tjetër, Gjilani vjen me moral të lartë pas fitores bindëse 3–0 ndaj Llapit. Skuadra e Debatik Currit duket në formë të mirë dhe kërkon të vazhdojë serinë pozitive, duke synuar tre pikët edhe në derbin e qytetit.
Këtë sfidë do ta drejtojnë tre gjyqtarë gjilanas. Mervan Bejtullahu do të jetë kryesori i ndeshjes, ndërsa në vijat anësore do ta asistojnë Enis Bejtullahu dhe Hekuran Osmani.
Ndeshja zhvillohet të dielën nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan.

