Sonte, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, do të mbahet festivali mbarëkombëtar i këngës folklorike “Fest Folk – Gjilan”, një ngjarje kulturore që mbledh këngëtarë nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i festivalit, Fazli Berisha, një ndër instrumentalistët më të njohur të folklorit gjilanas dhe ruajtës i këngës tradicionale shqipe.
Festival i dedikuar këngës folklorike
Menaxherja e festivalit, Arzie Jusufi, ka bërë të ditur se ky edicion është i fokusuar vetëm në këngën folklorike, ndërsa për vitet e ardhshme synohet zgjerimi i tij.
“Ky festival është vetëm i këngës, jo i grupeve apo ansambleve folklorike. Shpresojmë që vitin tjetër ta zhvillojmë 2–3 ditë dhe t’i shtojmë edhe vallet dhe ansamblet”, ka deklaruar ajo.
Tri çmime për edicionin e sivjetmë
Ky edicion ndan tre çmime simbolike, si fillim i një tradite që organizatorët synojnë ta zhvillojnë më gjerë vitin e ardhshëm:
Çmimi i Festivalit,
Çmimi i Veteranit,
Çmimi i Më të Riut.
Jusufi njoftoi se nga viti i ardhshëm festivali pritet të bëhet garues, me çmim të parë, të dytë, të tretë dhe çmim të publikut.
Programi i mbrëmjes
Në këtë edicion do të prezantohen gjithsej 11 pika, prej të cilave nëntë janë garuese, ndërsa dy janë mysafirë specialë.
“Çmimet e këtij viti janë simbolike, për të nisur një fillim të mbarë të këtij eventi folklorik, pasi organizimi ka qenë paksa i ngutshëm. Por besojmë se janë të mjaftueshme për të kultivuar traditën tonë të bukur”, u shpreh Jusufi.

