Ushtarët amerikanë të KFOR’it kanë zhvilluar një trajnim të specializuar për të përmirësuar aftësinë e tyre për të zbuluar, gjurmuar dhe neutralizuar dronët.
Krahas fotografive të publikuara, KFOR ka shpjeguar edhe si funksionon sistemi për gjurmimin dhe rrëzimin e dronëve, shkruan Reporteri.net.
“Sistemi pengon frekuencën e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të kthehet te operatori i tij, dhe gjithashtu mund të ndërhyjë në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të qëndrojë pezull, të ulet ose të rrëzohet”, theksohet në njoftim.
Sipas KFOR, stërvitje të tilla forcojnë aftësitë teknike, duke theksuar njëkohësisht koordinimin, punën ekipore dhe përshtatshmërinë në reagimin ndaj kërcënimeve ajrore që po evoluojnë vazhdimisht.
“KFOR zotëron këto kapacitete dhe i ka përdorur tashmë në skenarë operativë, duke rritur efektivitetin e misionit në adresimin e sfidave të reja të sigurisë”, thuhet në njoftim.

