Për pesë serbët e arrestuar në Kosovë, Haradinaj diskutoi me kryeministren serbe në Londër.
Samiti që po vazhdon në Londër, sot shërbeu për të diskutuar në lidhje me pesë serbët e arrestuar në Kosovë. Të njëjtit u liruan më vonë, por që dyshohet se kanë bërë presion te ushtarët serbë të largohen nga FSK-ja.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se për këtë temë ka shkëmbyer disa fjalë me kryeministrin e Kosovës.
“Unë i thashë se presionet ndaj serbëve po vazhdojnë. Nuk duhet të vazhdoni me praktikën duke arrestuar serbë. Ishte e shkurtër. Nuk kemi më asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit”, tha Bërnabiq, transmeton lajmi.net.
Kryeministrja serbe tregoi edhe për përgjigjen që mori nga kryeministri i Kosovës.
“Haradinaj u përgjigj duke thënë se gjërat janë më të komplikuara. Më tha se Kosova nuk dëshiron raporte të tilla me serbët që jetojnë atje”, deklaroi tutje kryeministrja e Serbisë.
Siç pretendon Bërnabiq, arrestimi i pesë serbëve është bërë temë edhe në Londër gjatë ditës së sotme.
Ajo e cilësoi arrestimin e pesë serbëve si shfaqje të papërgjegjshme.
Pesë serbët u arrestuan herët në Gjilan, pasi dyshohen për “rrezikim të sigurisë në Kosovë”.