Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë sot Krishtlindjen, ditën e lindjes së jezu krishtit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, e cila simbolizon lindjen e shpresës dhe dritës.
Kjo ditë shënohet edhe nga besimtarët e krishterë në Kosovë dhe rajon, të cilët e kremtojnë me meshë solemne në kisha dhe me mbledhje familjare, duke shkëmbyer urime për paqe, dashuri dhe mirësi.
Ndryshe, mbrëmë, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka mbajtur pritjen solemne me rastin e festës së Krishtlindjes, ku ka përcjellë mesazhe për paqe dhe bashkëjetesë, duke theksuar se urrejtja mes njerëzve nuk duhet të ekzistojë.
Ai ka bërë thirrje gjithashtu që në Kosovë të mbretërojë stabiliteti politik.
“Ndërsa po jua përcjell këtë porosi për një festë kaq madhështore, e ndiej të nevojshme t’ju ftoj që, në zgjedhjet e pas Krishtlindjes, të jemi të përgjegjshëm për të ardhmen tonë dhe të kontribuojmë të gjithë në restaurimin e gjendjes së jetuar gjatë këtij viti, duke kryer obligimin qytetar dhe duke ndjekur zërin e ndërgjegjes. Të kontribuojmë që vendi ynë të ketë një stabilitet të qëndrueshëm politik, t’i përshpejtojë hapat drejt familjes evropiane dhe të arrijë ta ruajë pacenueshmërinë e lirisë së besimit, të drejtën dhe lirinë e përcaktimit shpirtëror dhe multireligjiozitetin e kombit. Mbi të gjitha, dashurinë dhe aftësinë e bashkëjetesës ndërvëllazërore mes nesh, që është trashëgimi më e çmueshme prej të parëve tanë”, është shprehur ai.

