Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kryer sot obligimin e tij qytetar, duke votuar në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Pas votimit, Kurti ka theksuar rëndësinë e kësaj dite për Kosovën dhe ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Ai ka uruar që legjislatura e dhjetë të konstituojë sa më shpejtë Kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re.
“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. I ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të vendosur për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj që legjislatura e dhjetë të konstituojë sa më shpejtë Kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti para mediave.
Kurti tutje ka shtuar se shpreson që pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të jetë sa më masive, pasi kjo sipas tij do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në cilësinë e zgjedhjes, por edhe në legjitimitetin e institucioneve.
“I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushata, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive, sepse një pjesëmarrje e tillë reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjes dhe në legjitimitetin e institucioneve”, ka përfunduar Kurti.

