Shkruan: Burim Berisha
Rruga Gjilan–Ferizaj, me gjatësi rreth 29 kilometra, është një nga boshtet më të rëndësishme të qarkullimit në lindje të Kosovës. Në kushtet aktuale zhvillimore, kjo rrugë nuk duhet të shihet më vetëm si magjistrale, por si projekt strategjik kombëtar, me synim shndërrimin e saj në autoudhë, e në perspektivë autostradë.
Ky projekt përfaqëson një domosdoshmëri zhvillimore, sepse infrastruktura moderne është baza mbi të cilën ndërtohet rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe integrimi rajonal.
Autoudha Gjilan–Ferizaj do të ndikonte drejtpërdrejt në:
– Uljen e kohës dhe kostos së transportit,
– Rritjen e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve,
– Forcimin e bizneseve vendore,
– Krijimin e kushteve për investime të reja përgjatë këtij korridori.
Gjilani dhe Anamorava kanë potencial të madh ekonomik, por pa lidhje të shpejta dhe funksionale, ky potencial mbetet i pashfrytëzuar.
Një autoudhë e tillë do ta lidhte më fuqishëm rajonin me Ferizajn, Prishtinën dhe më tej me Shkupin, duke e integruar Anamoravën në rrjedhat ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare.
Përveç rrugës, një dimension shtesë strategjik është hekurudha Ferizaj–Gjilan–Bujanoc. Ferizaji tashmë lidhet me Prishtinën dhe Maqedoninë e Veriut përmes hekurudhës. Lidhja e Gjilanit dhe Bujanocit do të krijonte një korridor të ri hekurudhor drejt rrjeteve perëndimore, me transport më të lirë, më ekologjik dhe më të qëndrueshëm.
Në këtë kuadër, është e rëndësishme edhe përfundimi i autostradës Gjilan–Lipjan, e nisur që nga viti 2019, e cila mbetet investim strategjik për lindjen e Kosovës dhe bazë për projekte të reja kapitale.
Autoudha Gjilan–Ferizaj, hekurudha Ferizaj–Gjilan–Bujanoc dhe përfundimi i Gjilan–Lipjan janë investime që e nxjerrin Anamoravën nga izolimi infrastrukturor dhe e vendosin në hartën reale të zhvillimit ekonomik të Kosovës.









