Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë sot në takim Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen. Sipas agjendës mediale të Presidencës, takimi është paraparë të mbahet në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentes, ndërsa mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të takimit.
Vizita e Sørensenit në Prishtinë është pjesë e një turi më të gjerë në rajon, gjatë të cilit ai pritet të zhvillojë takime me nivelin më të lartë politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Burime në Bruksel i kanë thënë RTK-së se gjatë qëndrimit në Kosovë, emisari evropian do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.
Një ditë më pas, të enjten, Sørensen pritet të udhëtojë drejt Beogradit, ku janë planifikuar takime me lidershipin shtetëror serb, ndërsa agjenda e plotë e vizitës atje është ende në proces finalizimi.
Kjo shënon vizitën e parë të Peter Sørensenit që nga marrja e mandatit të dytë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut Kosovë–Serbi.
Vizita në Prishtinë vjen menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë dhe në një kohë kur në Bruksel ekzistojnë pritje që, pas formimit të institucioneve të reja, procesi i dialogut të rifillojë me intensitet të shtuar.









