Sipas burimeve të Radios Star, Isa Agushi pritet të emërohet drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit. Ky zhvillim vjen në kuadër të marrëveshjeve politike brenda koalicionit qeverisës në nivel lokal.
Burimet e Radios Star bëjnë të ditur se Agushi, i cili në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për kryetar komune, aktualisht është pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, përmes subjektit politik BNA. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, ai do të marrë drejtimin e një prej drejtorive kyçe në komunë.
Sipas të njëjtave burime, emërimi i Agushit në krye të Inspekcionit synon forcimin e menaxhimit dhe rritjen e efikasitetit në këtë sektor, i cili ka rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve komunale.
Radio Star raporton se zyrtarizimi i këtij pozicioni pritet të ndodhë në ditët në vijim, pas përfundimit të procedurave të brendshme institucionale./radiostargjilan/

