Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kujtuar përvjetorin e konferencës së Rambujesë, duke e quajtur 6 shkurtin e vitit 1999 si moment vendimtar për historinë e Kosovës.
“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ai tutje thotë se e ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët.
“Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit. E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka shkruar Hamza.

