Kushtrim Zeqiri është konfirmuar zyrtarisht në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, duke vazhduar udhëheqjen e këtij dikasteri me mbështetjen dhe besimin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni.
Zeqiri do të vazhdojë mandatin e tij pas vlerësimit pozitiv të punës së deritanishme, gjatë së cilës ka dëshmuar angazhim të vazhdueshëm në përkrahjen e rinisë, zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe mbështetjen e komunitetit artistik dhe sportiv në komunë.
Gjatë periudhës së qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport është vlerësuar si një nga drejtoritë më aktive në Gjilan, duke realizuar projekte të shumta, iniciativa për të rinjtë dhe aktivitete që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën kulturore dhe sportive të qytetit.
Konfirmimi i Zeqirit në këtë pozitë shihet si vazhdimësi e punës dhe reformave të nisura, me synim avancimin e mëtejmë të politikave për rini, kulturë dhe sport në nivel lokal.

