Nxënësit kanë të drejtë të gëzojnë shumë të drejta të tyre, të bazuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve dhe gjithë legjislacionin në fuqi që kemi në Kosovë. Megjithatë, kam përshtypjen se këto të drejta shpesh keqinterpretohen ose nuk kuptohen siç duhet nga ana e tyre. Përkrah të drejtave, nxënësit kanë edhe detyrimet e tyre në shkollë. Këto dyja shkojnë paralelisht.
Nxënësit kanë të drejtë të kenë një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm gjatë qëndrimit në shkollë, të vlerësohen drejt për suksesin e tyre, të shpërblehen sipas meritave, të shfaqin talentet e tyre, të marrin pjesë në aktivitete kurrikulare dhe jashtëkurrikulare, dhe të përfitojnë nga të gjitha mundësitë që u ofron shkolla me të gjitha kapacitetet e saj.
Nga ana tjetër, të gjithë nxënësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, si: të shkojnë në shkollë të përgatitur për mësimet dhe detyrat, të respektojnë disiplinën dhe rregullat e brendshme të shkollës, rregullat e klasës, të respektojnë mësimdhënësit, të mos vonohen në orët e mësimit, të marrin me vete tekstet e nevojshme, të ruajnë higjienën e tyre dhe të shkollës etj. Nëse këto, disa nga detyrimet e përmendura, nuk përmbushen, pasojnë masat ndëshkuese.
Një rol shumë të rëndësishëm këtu ka prindi, i cili, përveç se ka përgjegjësinë për zhvillimin e fëmijës së tij, ka edhe përgjegjësinë ligjore, pasi fëmija është ende i mitur, nën moshën 18 vjeç. Prindërit duhet të jenë të përkushtuar dhe të sigurojnë që fëmija të përfitojë nga të gjitha të drejtat që ofron shkolla, por gjithashtu të kujdesen që ai t’i respektojë detyrimet që ka. Si prind që jam edhe vetë, besoj se dhuratat e tepërta që u bëhen fëmijëve, si veshje luksoze, telefona të shtrenjtë, para të shumta dhe ardhja në shkollë me veturat që u japin vetë prindërit, shpesh kanë efekt negativ. Për më tepër, është e çuditshme kur prindërit sillen ndryshe me fëmijët që vijojnë shkolla private, ku paguajnë shuma jo të vogla parash, krahasuar me shkollat publike, ku marrin shkollimin pa pagesë – të butë dhe të kujdesshëm në shkolla private, ndërsa shumë më të ashpër në shkolla publike.
Të dashur nxënës, në veçanti ju që thirreni në ‘të drejtat tuaja’, disa nga të drejtat tuaja nuk nënkuptojnë cenimin e të drejtave të të tjerëve apo prishjen e rendit, dhe jo rrallë herë pengoni të tjerët në nxënie e shkollim; ato të drejta, si çdo e drejtë tjetër, i kanë limitet e veta. Disa të drejta të tjera të pretenduara nga ju nuk janë të shkruara askund. Respektoni prindërit, respektoni veten, respektoni mësimdhënësit dhe shkollën tuaj.
Samir Berisha, autor i shkrimit dhe punonjës në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan

