Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka komentuar ekspozenën e kryeministrit Albin Kurti para Kuvendit, duke theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit i dhanë qytetarët përgjegjësinë për përbërjen e re parlamentare.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë krijuar këtë përbërje të re parlamentare, vota e qytetarit ta jep nderin më të madh në drejtimin e Kuvendit, të qenurit deputet por edhe të qeverisë. Ky është një nder i cili po mbrohet nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi në gjykimin e padrejtë në Hagë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se ekspozenë e Kurtit e dëgjoi me vëmendje, por e konsideroi të mbushur me premtime që nuk kanë bazë financiare
“E dëgjova me vëmendje ekspozenë e Kurtit. Është me shumë premtime. Ka çështje që nuk janë …, nuk ka bazë se nga do të financohen. Është e saktë që janë rritur eksportet, por nuk është e mjaftueshme me përmend që janë rritur eksportet pa i përmendur që janë rritur importet, që është thelluar deficiti tregtar, që shumë indikatorë financiarë dhe makroekonomikë nuk janë në tregun e duhur…”, tha ai.
Ai përfundoi duke theksuar se PDK do të mbështesë çdo iniciativë në interes të qytetarëve dhe shtetit, por do të vazhdojë ta mbrojë interesin publik si në Kuvend, ashtu edhe para qytetarëve.

