Shkodran Mustafi me Gjermaninë (2014) kishte fituar të artën me Gjermaninë, ndërsa Ardian Kozniku (1998) me Kroacinë dhe Adnan Januzaj (2018) me Belgjikën, janë stolisur me medalje të bronztë.
Para 20 viteve përkatësisht në vitin 1998, Ardian Kozniku, futet në histori si shqiptari i parë që u stolis me medalje në Kampionatin Botëror në futboll, që ishte mbajtur në Francë. Kozniku kishte përfaqësuar kombëtaren e Kroacisë, me gjeneratën e artë të asaj periudhe, si Davor Shuker, Zvonimir Boban, Robert Prosineçki, Aljosha Asanoviç, Robert Jarni, Drazhen Ladiç, Igor Shtimac, Sllaven Biliç etj. me përzgjedhësin Miroslav Qira Bllazheviq, ish trajnerin e Prishtinës në vitet e 80-ta, bënë historinë në Francë. Kroacia u stolis me medaljen e bronztë, pasi që e mundi me rezultat 2:1 Holandën. Ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin “Parc des Princes” në Paris, ku ishin të pranishëm 45.500 shikues.
Për kroatët realizuan Prosineçki (13′) e Shuker (35′) dhe për Holandën: Zenden (21’). Kozniku me shokë festuan medaljen e bronztë dhe historike për shtetin kroat. Shqiptari i dytë me medalje dhe i artë është mbrojtësi Shkodran Mustafi, aktualisht paraqitet për Arsenalin. Mustafi me kombëtaren e Gjermanisë fituan titullin e kampionit të botës në vitin 2014, pasi që në finale e mundën me rezultat minimal 1:0 Argjentinën.
Gjermanët triumfuan pas 120 minutave dhe me golin e Gotze në minutën e 113-të, në ndeshjen që u luajt në “Maracana” në Rio de Janeiro, ku ishin të pranishëm 74.738. Mustafi futet në histori si shqiptari i parë me titullin e kampionit të botës në fanellën e Gjermanisë. Adnan Januzaj, një sulmues i jashtëzakonshëm, është shqiptari i tretë që u stolis me medalje në Kampionatin Botëror. Ai të shtunën që e lamë pas me Belgjikën me rezultat 2:0 e mundën Anglinë. Ndeshja u luajt në St. Petersburg, të pranishëm 64406 shikues. Shënues Meunier (4′) e Hazard (82′).
Belgjika zuri vendin e tretë përkatësisht u stolis me medalje të bronztë, ndërsa Januzaj nuk luajti asnjë minutë të vetme. Në fakt, Januzaj ka pasur 86 minuta gjatë këtij Botërorit, që u paraqit në takimin e xhiros së tretë të grupit G, në fitoren me rezultat 1:0 ndaj Anglisë. Adnan Januzaj kishte shënuar në minutën e 51-të dhe u fut në listën e shënuesve në edicionin më të rëndësishëm. Januzaj me shokë fituan medaljen e bronztë, një sukses i madh.
Januzaj ishte në mesin e yjeve të Belgjikës, si Hazard, Lukaku, Mertens, Dembele, De Bruyne, Fellaini etj. Mustafi është i artë në vitin 2014, kurse Kozniku i bronztë në vitin 1998 dhe Januzaj i bronztë në vitin 2018. Brenda 20 viteve tre shqiptarë me medalje në Kampionatin Botëror.