Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmbledhur ngjarjet kryesore të javës në podkastin e tij “Flasim”, duke veçuar pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Washington dhe qëndrimin për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Rama tha se në fjalimin e tij ka shprehur “shqetësimin kombëtar” për atë që e quajti “maskaradë të Drejtësisë Ndërkombëtare” ndaj Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, duke shtuar se beson që sensibilizimi ndërkombëtar do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues.
Rama foli edhe për vizitën në Prishtinë, të cilën e lidhi me promovimin e librit “Kur Heshtja Fle’t” të profesorit Ahmet Shala. Ai i cilësoi pozitive takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve.

