Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik ka ofruar disa këshilla për ruajtjen e shëndetit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Siç theksohet nga IKSHPK, muaji i Ramazanit sjell ndryshime të mëdha në përditshmërinë e individëve, duke ndikuar në stilin e jetesës, ushqyerjen dhe ritmet biologjike të trupit. Gjatë agjërimit, metabolizmi, hidratimi, oraret e gjumit dhe aktiviteti fizik mund të preken, prandaj është e rëndësishme të merren masa për ruajtjen e shëndetit.
Rekomandimet e IKSHPK-së përfshijnë:
Dieta e balancuar: Konsumoni ushqime të shëndetshme dhe qëndroni të hidratuar. Pini mjaftueshëm ujë dhe përfshini ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë. Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer për të parandaluar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta.
Iftari: Filloni vaktin e iftarit me hurma dhe ujë, më pas shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk. Kufizoni ushqimet e skuqura dhe ato të përpunuara. Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen.
Syfyri: Konsumoni një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, dhe yndyra të shëndetshme si avokado. Shmangni ëmbëlsirat e tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë. Zgjidhni fruta të freskëta si ëmbëlsirë. Syfyri nuk duhet anashkaluar dhe as zëvendësuar vetëm me ujë, pasi kjo mund të ndikojë negativisht në shëndet, duke ulur nivelin e sheqerit në gjak dhe duke bërë personin më pak energjik dhe produktiv.
Mënyrat e gatimit: Përdorni metoda të shëndetshme si avullimi, pjekja ose gatimi me pak vaj. Përdorni më pak kripë dhe erëza për të përmirësuar shijen e ushqimeve.
Aktiviteti fizik: Qëndroni aktivë, sidomos pas mbrëmjes. Një ecje e rregullt ndihmon në menaxhimin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit gjatë Ramazanit.
Konsultimi me profesionistë shëndetësorë: Para se të bëni ndonjë ndryshim në regjimin e ilaçeve gjatë Ramazanit, bisedoni me mjekët ose specialistët.
Agjërimi për personat me diabet dhe hipertension
IKSHPK thekson se agjërimi mund të sjellë komplikime për personat me diabet, si ulje të sheqerit në gjak, rritje të sheqerit në gjak, dehidrim dhe ketoacidozë diabetike, veçanërisht te ata me diabet të tipit 1. Këta individë zakonisht këshillohen të mos agjërojnë.
Personat me diabet të tipit 2 dhe ata me hipertension, të cilët kanë gjendjen nën kontroll (përmes dietës apo medikamenteve), mund të agjërojnë. Megjithatë, ky vendim duhet marrë vetëm pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe në konsultim me mjekët, për të siguruar që agjërimi nuk do të rrisë rrezikun për shëndetin.
Agjërimi gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies
Nënat shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji, nëse janë të shëndetshme, mund të marrin parasysh mundësinë e agjërimit. Sidoqoftë, vendimi duhet të merret në mënyrë individuale dhe vetëm pas konsultimit me mjekët, duke marrë parasysh rreziqet që mund të ndodhin për nënën dhe fëmijën.

