Pothuaj pesë vjetët e qeverisjes, Lutfi Haziri ka trumbetuar deri në monotoni se qeverisja e tij është në dietë buxhetore.
Kjo nga fillimi ka qenë një mashtrim që Luta e ka bërë për qytetarët e Gjilanit, pa përmendur mijëra euro që janë harxhuat nga buxheti komunal për mirënjohje, dekorata, kokteje, e darka të dyshimta të cilat i ka shumë qejf Luta.
Po e përmendi një mashtrim të “Dietës” buxhetore të Lutfi Hazirit, i cili ka ndodhur hiç më larg se dje.
Ekrani i vendosur në sheshin Agim Ramadani për përcjelljen e ndeshjes finale ndërmjet Francës dhe Kroacisë i ka kushtuar buxhetit komunal mijëra euro, më saktësisht e di Lutfi Haziri, ngjarje kjo koti e cila u përcoll nga dhjetëra qytetarë dhe zyrtarë të ulët të qeverisjes komunale.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, Lutfi Haziri e zyrtarët e tij të lartë ndeshjen nuk e përcollën në sheshin Agim Ramadani por ishin në një qebaptore të qytetit. Dhe për sa kohë që qytetaret përcëlloheshin nga dielli në qendër të qytetit në qebaptore janë pjekur qebapat e Lutfi Hazirit.
Kush po mban dietë buxhetore kryetar? Këto mijëra euro të shpenzuara kot më mirë ishin sikur të derdheshin në ndonjë nga fondet që ndihmojnë studentët, nxënësit, sportistët e dalluar.
PDK, gjithnjë dietën buxhetore të Lutës e ka parë dhe e ka vlerësuar si lojë të keqe teatrale të Lutfi Hazirit. Kryetari këtë aftësi e ka treguar duke bërë lojë të keqe në Gjilan edhe me vetë teatrin dhe artistët.
Riza Abdyli Shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në KK Gjilan