Progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ngecur vitet e fundit, duke shqetësuar Parlamentin Evropian mbi gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe respektimin e lirive themelore në vend.
Draft-raporti i nënshkruar nga raportuesi i Parlamentit për Serbinë, Tonino Picula, vë në dukje mungesën e përparimit në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e medias dhe reformën e administratës publike.
Raporti evidenton gjithashtu shqetësime për situatën politike, duke përmendur protestat masive që nisën në nëntor 2024 dhe përdorimin e tepërt të forcës nga autoritetet, arrestimet arbitrare dhe forma të tjera të frikësimit ndaj qytetarëve, aktivistëve dhe gazetarëve.
Parlamenti Evropian kërkon hetime të paanshme dhe transparente për çdo përdorim të panevojshëm të forcës, si dhe rishikim të ndryshimeve të fundit në ligjet e gjyqësorit që dobësojnë pavarësinë e tij.
Një fokus i veçantë i draft-raportit ka të bëjë me sigurinë në veri të Kosovës dhe incidentin terrorist në Banjska më 2023.
Dokumenti thekson se Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë plotësisht për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij sulmi, duke përfshirë veçanërisht Milan Radoiçiq, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili sipas raportit ende nuk është ndjekur penalisht nga autoritetet serbe, raporton N1.
Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për këtë mangësi dhe e paraqet si një pengesë serioze në përparimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Raporti gjithashtu thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si element kyç për perspektivën evropiane të Beogradit. /telegrafi

