Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut pranë Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Komunën e Kamenicës, në bashkëpunim me Institucionin Parashkollor “Filizat”, prindërit e fëmijëve që janë pjesë e këtij institucioni, si dhe me mbështetjen profesionale të logopedes Lineta Leci, ka organizuar një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese dhe gjithëpërfshirëse.
Fëmijët, së bashku me edukatoret, morën pjesë në aktivitete kreative si vizatime, punime të ndryshme, dekorime me çorape shumëngjyrëshe si dhe ngjyrosje të duarve me ngjyrat blu dhe të verdhë, të cilat simbolizojnë këtë ditë dhe mesazhin për pranimin e dallimeve dhe barazinë.
“Përmes këtyre aktiviteteve, edukatoret bashkë me fëmijët kanë përcjellë mesazhe të fuqishme për dashuri, pranueshmëri dhe respekt për secilin fëmijë, pa dallim,” u theksua gjatë organizimit.
Një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e këtyre aktiviteteve kanë pasur edhe prindërit, të cilët jo vetëm që kanë mbështetur organizimin me përkushtim dhe pjesëmarrje aktive, por kanë kontribuar edhe financiarisht, duke dëshmuar bashkëpunim të ngushtë me institucionin dhe përkushtim të sinqertë për mirëqenien dhe përfshirjen e fëmijëve të tyre në aktivitete me vlera edukative dhe sociale.
Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe logopedia Lineta Leci, e cila me përkushtimin e saj profesional dhe me ide kreative ka ndihmuar në konceptimin dhe realizimin e aktiviteteve, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe me vlerë të shtuar edukative për fëmijët.
U.D. drejtoresha e IP “Filizat”, Fatime Leci, theksoi se: “Këto aktivitete kanë një rëndësi të veçantë në edukimin e hershëm të fëmijëve për vlerat e pranimit, respektit dhe gjithëpërfshirjes, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë që nga mosha e vogël.”
Në këtë kuadër, Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati, ka përgatitur “21 slogane për 21 Mars”, ku secili slogan përcjell mesazhe të fuqishme për përfshirje, respekt, dinjitet dhe të drejta të barabarta për personat me Sindromën Down. Këto slogane janë vendosur në hapësirat e jashtme të Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë, bashkë me Zyrtaren për Barazi Gjinore, Kosovare Maroca Berisha, me qëllim që të jenë sa më të dukshme për qytetarët dhe të shërbejnë si mesazhe ndërgjegjësuese për pranimin e diversitetit dhe promovimin e barazisë në shoqëri.
Po ashtu, janë shpërndarë fletëpalosje informuese për qytetarët, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit, informimit dhe promovimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe pa paragjykime.
Në fund, Koordinatorja e NJKDNJ-së theksoi se mesazhi i kësaj dite është që çdo individ, pavarësisht dallimeve, meriton respekt, mundësi të barabarta dhe përfshirje të plotë në shoqëri, duke ndërtuar kështu një komunitet më të drejtë dhe më njerëzor për të gjithë.

