Kryetari Rahimaj: Inspektorati Komunal forcon mbikëqyrjen e bizneseve, shqiptohen 11 gjoba
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se Inspektorati Komunal i Komunës së Kamenicës, që nga fillimi i këtij viti e deri më sot, ka zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në bizneset që operojnë në territorin e Kamenicës.
Sipas tij gjatë kësaj periudhe, inspektorët tanë kanë monitoruar nga afër gjendjen dhe mënyrën e funksionimit të këtyre bizneseve ku si rezultat i kontrolleve, janë evidentuar disa parregullësi, përfshirë: mosafishimin e çmimeve të produkteve, mospërputhje të çmimeve ndërmjet raftit dhe arkës, mungesë të etiketimit në gjuhën shqipe, mungesë të deklarimit të përbërjes dhe origjinës së produkteve, reklamim mashtrues, si dhe ushtrim të aktivitetit pa përmbushur kushtet ligjore.
“Këto shkelje ndikojnë drejtpërdrejt në cenimin e të drejtave të konsumatorëve dhe në deformimin e tregut. Bazuar në këto konstatime dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, Inspektorati Komunal ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj bizneseve përkatëse, të cilat në shumicën e rasteve janë biznese shërbyese. Vlera e gjobave të shqiptuara varion nga 500 deri në 3000 euro, dhe janë gjithsej 11 gjoba të shqiptuara deri më tani”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndër të tjera Kryetari Rahimaj ka theksuar se Komuna e Kamenicës rithekson se zbatimi i ligjit nuk është opsional.
“Çdo subjekt që vepron në kundërshtim me rregullat në fuqi do të përballet me masa ndëshkuese pa përjashtim. Nuk do të ketë tolerancë për shkelje që dëmtojnë qytetarët dhe prishin konkurrencën e ndershme në treg”, është shprehur Kryetari Rahimaj.

